Bogujevci: E paguam shtrenjtë lirinë, Serbia s’na lë t’i shërojmë plagët

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherit e mbijetuara e një prej masakrave të Kosovës, Saranda Bogujevci, në 25-vjetorin e çlirimit të vendit ka kujtuar periudhën e vështirë të rikuperimit të shumë fëmijëve të cilët pësuan nga lufta, veçmas pas humbjes së familjarëve të tyre

“Sot para 25 viteve isha e shtrirë në spitalin e Prishtinës. Aty isha së bashku me fëmijët e axhës, Gencin, Fatosin, Jehonën, Lirinë e cila ishte dërguar në atë kohë në Beograd. Që të gjithë ishim të plagosur rëndë. Para 12 qershorit të ’99-ës, spitali ishte zbrazur nga shumica e mjekëve dhe motrave medicinale. Pati mbetur vetëm një pjesë e vogël që qëndruan dhe në ato momente e morëm lajmin që kanë hyrë forcat e NATO-s. E kam kujtesën e freskët dhe më kujtohet se një natë më parë ishte errësirë, dëgjoheshin të shtëna por e ndjeva një qetësi shpirtërore. Në atë kohë mendoja se edhe nëse do të ndodhte diçka e keqe, unë s’do të trembesha”, kujton Bogujevci periudhën kur ishte vetëm 14-vjeçe.

Bogujevci ka thënë se Serbia ende po vazhdon të mos lejojë shërimin e plagëve të luftës së Kosovës.

“Ne paguajmë shumë shtrenjtë lirinë tonë, jo veç në luftën e fundit por me gjenerata. Këto pasojat e mizoritë e gjenocidit i shohim dhe përjetojmë edhe sot. Fatkeqësisht Serbia as sot nuk ndjen keqardhje për krimet që ka bërë, na krijon pengesa e beteja të vazhdueshme duke mos na lënë t’i shërojmë plagët. Por sot e përgjithmonë do ta mbajmë në mend, se këtë ditë me gjithë kujtimet, përherë do ta festojmë”, ka thënë ajo.