28 vjet burgim për 8 persona që hodhën granata në dy lokale në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Adnan Murtezi, Fidan Cakolli, Gentrit Ismajli dhe Diar Thaçi – që ngarkohen se si grup kriminal, në qershor të vitit 2022 hodhën granata dore në lokalet “Missini” dhe “Rizza Hair Salon”.

Atyre u janë shqiptuar më shumë se 28 vjet burgim. Nga akuza janë liruar Lundrim Beqiri, Egzon Cakolli dhe Kreshnik Kurti, të cilët akuzoheshin për pjesëmarrje në organizim të grupit kriminal, veprime përgatitore të veprës penale “Vrasje e rëndë”, “Detyrimi” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Më së shumti është dënuar Arianit Pllana me 4 vjet e 10 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Detyrimi”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Deklarimi i rremë”, raporton Betimi për Drejtësi.

Adhurim Krasniqi, Bekë Salihaj dhe Valdrin Beqiri janë dënuar me nga 4 vjet burgim secili veç e veç për veprën penale shtyrje në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Fidan Cakolli, Gentrit Ismajli dhe Diar Raçi janë dënuar me nga 3 vjet burgim se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Adnan Murtezi është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Ndërkaq, Lundrim Beqiri është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 muaj burgim dhe 500 euro gjobë për posedim të paautorizuar i narkotikë dhe substancave narkotike.