Rohde: Kosova fitoi rreth 80% të votave në Asamblenë Parlamentare të KiE-së

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova ka fituar pothuajse 80 për qind të votave gjatë votimit të së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ai ka shtuar se muajin e ardhshëm do të jetë faza më e vështirë e votimit për anëtarësim në këtë organizatë, për çka ka thënë se Kosova duhet të punojë shumë për ta bindur Komitetin e Ministrave për të votuar në favor të saj.  

“Tani vjen faza më e rëndë – sigurimi i shumicës së nevojshme 2/3 në Komitetin e Ministrave në maj, Kosova duhet të bëjë atë që duhet për t’i bindur me meritë dhe veprim”, ka shkruar ai në platformën X.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Votuan gjithsej 171 deputetë. Pro ishin 131, kundër ishin 29 e 11 abstenuan.

Kosovës tani i ka mbetur vetëm një hap për anëtarësim në KiE, që është votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj nëse hyn në rend dite.