Për 24 orë raportohen 11 raste të dhunës në familje

Njëmbëdhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici gjatë 24 orëve të fundit. Në gjitha rastet, burrat janë raportuar për ushtrim të dhunës. 

Në pesë prej këtyre rasteve gratë kanë raportuar bashkëshortët e tyre për dhunë të ushtruar ndaj tyre. Një grua e ka raportuar ish-bashkëshortin për kanosje.  

Në dy raste të tjera viktima kanë qenë nënat, në dy familjarët, ndërkohë që në një rast në përleshje janë përfshirë vjehrri, nusja e kunata. 

Një rast është raportuar në Fushë – Kosovë, ku bashkëshorti është arrestuar nën dyshimin që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare- bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Një tjetër rast është raportuar në Podujevë. “Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se bashkëshorti i saj  i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi është duke i shkaktuar dhunë psikike. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor si dhe ka refuzuar urdhrin mbrojtës, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Në 24 orët e fundit për dhunë në familje është raportuar edhe një burrë më të meta psikike në Podujevë. 

“Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar me të meta psikike e kishte sulmuar fizikisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është ndaluar në repartin psikiatrik për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e Policisë.

Një tjetër rast i dhunës nga bashkëshorti është raportuar në Prishtinë dhe i dyshuari është intervistuar e rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.

“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi është duke  shkaktuar dhunë psikike ndaj saj. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari, me vendim të prokurorit rasti në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Në Ferizaj një grua ka raportuar se përmes telefonit është kërcënuar nga bashkëshorti i saj që gjendet në Gjemani, i cili thuhet se i ka kërkuar të largohet nga shtëpia.

“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar i kishte telefonuar nga Gjermania dhe i kishte thënë se kur të vij në shtëpi mos të gjej aty. E njëjta ka kërkuar urdhër mbrojtës pasi ndjehet e rrezikuar nga i dyshuari. Pas intervistimit e njëjta është kthyer në shtëpinë e saj së bashku me prindin e bashkëshortit të saj”, thuhet në raportin e Policisë.

Në Prishtinë një grua është kanosur nga ish-bashkëshorti, i cili thuhet se gjendet në vuajtje të dënimit. “Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar i cili gjendet në vuajtje të dënimit e kishte kanosur përmes telefonit. Viktima ka pranuar tretman mjekësor pasi e njëjta ishte e shqetësuar. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e Policisë.

Në Gjilan një burrë më të meta psikike është arrestuar pasi ka fyer e sulmuar nënën dhe mbesën e tij.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, me të meta psikike, pasi që i njëjti kishte fyer viktimat femra kosovare, nënën dhe mbesën e tij, si dhe i njëjti mbesën e kishte kapur me dy duart për fyti. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Nënën e tij e ka sulmuar edhe një burrë në Klinë. “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare nënën e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari me të meta mendore sipas raportit të mjekut  është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Dhunë ndaj anëtarëve të familjes ka shkaktuar një burrë në Ferizaj. “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim te alkoolit 1.32 promilë ka shkaktuar dhunë psikike ndaj anëtarëve të familjes. Me vendim te prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

Për dhunë ndaj familjarëve është arrestuar edhe një burrë në Deçan. “Është arrestuar i dyshuari i mitur mashkull kosovar pasi që i njëjti si recidivist i veprës edhe sot kishte përdor dhunë fizike dhe psikike ndaj familjarëve të tij. Me vendim  të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, ka bërë të ditur Policia.

Ndërkohë në një rast të dhunës në familje në Fushë-Kosovë janë përleshur e kanë pësuar lëndime, vjehrri, nusja e kunata.

“Raportohet se pas një mosmarrëveshje të anëtarëve të familjes, një mashkull kosovar (vjehrri) dhe dy femra kosovare (nusja dhe kunata) ka ardhur deri te shtyrja në mes tyre me që rast të njëjtit kanë pësuar lëndime të lehta trupore. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët lirohen në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.