Hovenier: Jemi partnerë me popullin e Kosovës për vizionin e Kushtetutës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, teksa ka uruar Kosovën për përvjetorin e 16-të të Kushtetutës, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që janë partnere të kosovarëve në vizionin e Kushtetutës. 

“Gëzuar Ditën e Kushtetutës, Kosovë! Kosovarët e kanë mishëruar në kushtetutën e tyre vendosmërinë për të ‘ndërtuar një të ardhme të Kosovës si vend i lirë, demokratik e paqedashës, që do të jetë atdhe për të gjithë qytetarët…’ Jemi krenarë për mbështetjen tonë teksa si jemi partnerë me popullin e Kosovës për ta arritur vizionin e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter të martën.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit. 

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.