Lajçaku pret që çështja e dinarit të zgjidhet në takimin e kësaj jave në Bruksel

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takimin e kësaj jave mes palëve në Bruksel pret të gjendet një zgjidhje për çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Ai ka shkruar në Facebook të hënën se do të vijojnë diskutimet e lëna të enjten (28 mars), derisa takimin e fundit e konsideroi të dobishëm.

“Në përgjithësi, takimi ka qenë i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë t’i shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund u konkludua se do të duhej edhe një tjetër takim. Palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresojmë se do të jemi në gjendje të kapërcejmë hendekun e mbetur”, është shprehur ai.

Kryenegociatori i Kosovës në Bruksel, Besnik Bislimi, ka thënë se do të duhej edhe një takim me homologun serb, Petar Petkoviq, që të qartësoheshin qëndrimet.