Osmani për Tony Blair: Heroi i lirisë dhe i paqes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët pas takimit me Tony Blair, ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, ka shprehur mirënjohjen e saj dhe të popullit të Kosovës për kontributin për çlirimin e vendit.

“Në vitin ’99 roli juaj si kryeministër britanik gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte vendimtar, ndaj sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës, si dhe hero i lirisë e demokracisë; edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe dhe gjithë përkrahjen që ia keni dhënë Kosovës gjatë këtyre 25 viteve”, ka thënë ajo.

“25 vite pas dhe çdo ditë nga ajo, ne ju themi ‘faleminderit Sir Tony Blair’, që përkundër sfidave ju orientuat kompasin e historisë në anën e mbrojtjes së vlerave që kanë përcaktuar kapitujt më të lavdishëm të historisë njerëzore”, ka thënë Osmani.

“Me forcat aleate të NATO-s ju na shpëtuat nga shfarosja e cila synohej nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Në kujtimet e juaja ju vet e keni thënë se intervenimi i Kosovës ishte ‘një betejë midis të mirës e të keqes, një betejë midis qytetërimit dhe barbarisë dhe një betejë midis demokracisë dhe diktaturës’. Kosova sot është një nga trashëgimitë tuaja më të suksesshme, është një nga mësimet se mbrojtja e lirisë, paqes dhe demokracisë janë shtyllat e civilizimit dhe obligim i secilit në çfarëdo kohe”, ka deklaruar Osmani.

Osmani ka përmendur faktin se shumë fëmijë të pasluftës e gëzojnë emrin e Tony Blair, duke i cilësuar si shenja të gjurmëve që ish-kryeministri ka lënë te populli.