Flick, trajneri që mund ta kthejë Barçën në rrugën e sukseseve

Barcelona e ka zëvendësuar Xavi Hernandezin me ish-trajnerin e Bayern Munichut, Hansi Flick. Trajneri i ri ishte në krye të ekipit gjerman kur e kishte mposhtur 8:2 skuadrën nga Katalonja para katër vjetësh.

Flicku ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Barcelonën. Barça e prezantoi atë të mërkurën, vetëm pak çaste pasi u konfirmua se klubi i La Ligas i ka ndarë rrugët me Xavin.

“Është nder dhe po ashtu ëndërr për mua të nënshkruaj kontratë këtu në Barcelonë, të punoj për këtë skuadër të shkëlqyer”, ka thënë 59-vjeçari Flick për faqen zyrtare.

Është puna e parë e Flickut qëkur u shkarkua nga Gjermania në shtator të vitit të kaluar. Dy vjet i kishte kaluar te Bayerni, kurse e fitoi Ligën e Kampionëve dhe dy herë rresht titullin në Gjermani.

“Kam fituar disa tituj me Bayernin dhe synimi për fitimin e titujve të tjerë është shumë i madh. Do të doja që me Barcelonën të arrijmë shumë gjëra të mëdha së bashku”, ka thënë Flick.

Trajneri gjerman foli edhe për përshtatjen e stilit të tij dhe të skuadrës, që bazohet në posedim të topit dhe futboll sulmues. “Këto janë gjëra që unë i dua”.

Ai i është gëzuar faktit që në Barcelonë ka lojtarë të rinj e po ashtu me eksperiencë.

“Barcelona e ka një prej akademive më të mira në botë dhe përzierje të mirë të eksperiencës dhe lojtarëve të talentuar. Duhet që të punojmë me ta e t’i bëjmë më të mirë. Kjo është puna jonë”.

Flick e nënshkroi kontratën në zyrat e Barcelonës, në praninë e drejtorit sportiv, Deco.

Në një komunikatë, Barcelona ka thënë se e ka zgjedhur “njeriun e njohur për presing të lartë, intensitet dhe stilin e guximshëm të lojës që i ka sjellë atij suksese të mëdha në nivel klubesh dhe të përfaqësueses, duke fituar thuajse gjithçka që mund të fitohet në botën e futbollit”.

Xavi, që ishte prej lojtarëve më të mirë te Barcelona, u largua pasi skuadra përfundoi në vendin e dytë me distancë të madhe nga rivali, Real Madridi.

Xavi e drejtoi ekipin për herën e fundit të dielën në ligën spanjolle dhe fitoi 2:1 në udhëtim te Sevilla.

Largimi i tij erdhi vetëm një muaj pasi e kishte ndryshuar mendjen nga ajo që kishte thënë në janar, për t’u larguar nga skuadra në afatin kalimtar të verës. Në muajin prill Xavi theksoi se e ka ndryshuar mendjen, sepse ekipi i tij po luante më mirë dhe besonte se mund të kthehej pas një sezoni pa trofe.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i ishte gëzuar vendimit të Xavit për qëndrimin e tij. Por, javën e kaluar presidenti i klubit nuk ishte i lumtur kur trajneri foli haptazi se si aspekti i dobët financiar i klubit mund ta pengonte skuadrën për t’i bërë konkurrencë Real Madridit.

Flicku është vetëm një prej dy trajnerëve evropianë që mund të mburret me fitimin e gjashtë trofeve brenda një viti kalendarik. Ai do të ribashkohet me ish-sulmuesin e Bayernit, Robert Lewandowski, i cili tani është anëtar i Barcelonës. Flick po ashtu ishte trajner i Marc-Andre ter Stegenit dhe mesfushorit Ilkay Guendogan gjatë kohës te përfaqësuesja gjermane.

Flicku do të jetë trajneri i tretë gjerman në histori të Barcelonës, pas Hennes Weisweiler dhe Udo Lattek.

Flicku e fitoi Ligën e Kampionëve në finalen ndaj Paris Saint-Germainit, pasi e eliminoi Barcelonën. Ishte pjesë e ecurisë së trofeve të fituar në kohën e pandemisë, ku u përfshinë edhe Bundesliga, Kupa e Gjermanisë dhe Kupa e Botës për Klube.

Deri atëherë, qëndrimi dyvjeçar te Bayerni ishte puna e vetme në karrierën e Flickut në futbollin elitar. Më herët ishte asistent në ekipin e Gjermanisë që e kishte fituar Kupën e Botës në vitin 2014.

Flicku u largua nga Bayerni për te Gjermania në vitin 2021, por u shkarkua vitin e kaluar pasi humbi 4:1 nga Japonia në miqësore, e që ishte ndeshja e gjashtë rresht pa fitore. Faktor për largimin e tij ishte edhe fakti që Gjermania nuk e kaloi fazën grupore në Kupën e Botës 2022.

Trajneri i fundit i huaj te Barcelona ishte holandezi Ronald Koeman, i cili ndihmoi skuadrën ta fitonte Kupën e Mbretit në edicionin 2020/21.