BE: Serbia po e shkelë marrëveshjen me Kosovën

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano ka konfirmuar se Serbia po e shkelë marrëveshjen me Kosovën të arritur vitin e kaluar duke u angazhuar në pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Këtu përfshihet edhe neni 4 i marrëveshjes. Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është një shkelje e qartë e Marrëveshjes”, ka thënë Stano në një përgjigje me shkrim dërguar medieve.

Është kjo hera e parë që Brukseli qartazi dhe në mënyrë të prerë shprehet që Serbia bën shkelje të marrëveshjes të arritur ne vitin 2023 në Bruksel dhe Ohër.

Ndryshe, lidhur me prononcimet kundërthënëse të dy ambasadorëve amerikan në rajon, atij të Kosovës dhe Beogradit lidhur me epilogun e procesit të dialogut dhe nëse i njëjti duhet të kurorëzohet me njohje, Stano vetëm konfirmon se Bashkimi Evropian nuk ka ndryshuar qëndrimin dhe mbetet i njëjtë siç është përcjellë në mënyrë të përsëritur në të kaluarën dhe siç përcaktohet në kriteret e anëtarësimit.

Përderisa ambasadori amerikan në Kosovës Jeffrey Hovenier ka thënë ditë më parë se dialogu duhet të përmbyllet me njohje reciproke, homolgu i tij ne Serbi Chistopher Hill është shprehur se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Mirëpo një zyrtar në Bruksel ka rikujtuar se është e sigurt që Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Në këtë rrafsh ky zyrtar rikujton se tani edhe Marrëveshja e Ohrit në fakt e përcakton qartë këtë – nëse nuk ka përparim në normalizim, nuk ka përparim as në proces anëtarësimi.

 Ndryshe detyrimet e Serbisë të dala nga marrëveshjet me Kosovën tani edhe formalisht janë bërë pjesë përbërëse të procesit të negocitave të anëtarësimit mes Brukselit dhe Beogradit. BE gjithnjë insiston se nuk do pranojë anëtarësimin e vendeve të reja pa zgjidhjen e kontesteve bilaterale.