25 vjet të lirë, Perëndimi s’është penduar

Perëndimi s’është penduar që intervenoi për ta ndalur luftën në Kosovë. Shteti i ri ballkanik shënon sot 25 vjetorin e çlirimit.

Kur refugjatët kosovarë luftonin ta imagjinonin kthimin në vendin e tyre në luftë, Perëndimit po i humbte durimi me Serbinë.

Komuniteti ndërkombëtar, me përjashtim të Rusisë, e kishte paralajmëruar disa herë Sllobodan Millosheviqin me masa të papërcaktuara ushtarake nëse nuk i jep fund represionit të përgjakshëm në Kosovë. Kasapi i Ballkanit ishte i pabindur, ndoshta pa e imagjinuar se aleanca më e fuqishme në botë, NATO do të ndërhynte në këtë lloj konflikti.

Në një takim të fundit në Londër, gjashtë vendet e Grupit të Kontaktit për ish-Jugosllavinë (Shtetet e Bashkuara, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca), i kërkuan presidentit të atëhershëm serb që t’i pranonte kërkesat e tyre.

Po vinte koha për zbatimin e skenarit të hartuar në deklaratën për shtyp të publikuar në Londër, ku thuhej se nëse Millosheviqi nuk i jep fund “veprimeve të forcave të tij të sigurisë kundër popullatës civile” në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar do ta paraqiste një rezolutë në OKB, duke i hapur rrugë përdorimit të forcës.

Më 24 mars 1999 në orët e para të mbrëmjes, Aleanca nisi fushatën e saj ushtarake. Në 20:10, sirenat u dëgjuan në Beograd menjëherë pas dy shndritjeve portokalli në qiell.

“NATO hyn në luftë kundër Serbisë. Manovrat e fundit diplomatike nuk e kanë bindur Millosheviqin ta pranojë planin perëndimor për Kosovën” raportonte gazeta franceze, Liberation.

Pas bombardimeve 78 ditëshe kundër caqeve serbe, trupat e NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1998. Përreth rrugëve, kosovarët mijëra fëmijë iu dhuronin lule, një plakë i jepte qershi ushtarit amerikan, disa hidheshim mbi tanket e automjetet ushtarake të NATO-s. Liria që ishte bërë e vështirë të imagjinohej, kishte ardhur.

Një vit para se NATO të intervenonte, përpjekjet diplomatike të liderit të shqiptarëve, Ibrahim Rugova po merrnin formë. Ai ishte i bindur në mbështetjen e Perëndimit, siç edhe ndodhi.

Ai do të mbetej më i mbështeturi në Kosovë edhe pas luftës, pavarësisht kapitalit të simpatisë që dukej se e gëzonte UÇK-ja në mesin e shqiptarëve pasi lufta përfundoi.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës u pajtua të çarmatosej dhe u shndërrua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Rugova, së bashku me ish-udhëheqësit e luftës do të merrnin pjesë në negociatat për statusin e Kosovës, pa mundur ta shohë Kosovën të bëhej tamam shtet i pavarur në vitin 2008.

Dy vjet para shpalljes së shtetit, lideri karizmatik i luftës së Kosovës për pavarësi vdiq në moshën 61-vjeçare nga kanceri në mushkëri, pikërisht në momentin kur do të fillonin negociatat me ndërkombëtarët për “statusin përfundimtar” të vendit.

Ky përvjetor i 25-të i çlirimit, ish-udhëheqësit e luftës së UÇK-së i gjen në qeli të Gjykatës Speciale në paraburgim dhe para një procesi të stërzgjatur gjykimi, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet të jenë kryer gjatë periudhës së luftës, periudhë për të cilën ata thonë se ndjehen më së shumti krenar.

Ish udhëheqësi i luftës guerile, Hashim Thaçi megjithatë mundi të mbërrinte deri në krye të vendit të cilin po ai do ta deklaronte të pavarur më 17 shkurt 2008.

Ndërkombëtarët përmendin progresin e madh që thonë se e ka arritur Kosova për 25 vjet liri.

Përveçse u bë shtet dhe u njoh nga vendet kryesore të botës, Kosova tash ka ushtri, dhe me ndihmën e aleatëve ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare.

Dialogu me Serbinë, ndërkaq, vazhdon të jetë pengesa kryesore për shtetin e ri ballkanik, për përvjetorin e lirisë së të cilit, të hënën në Kuvendin e Kosovës ishte ish-kryeministri britanik, Tony Blair, një nga personat kyç që e bënë të mundur intervenimin e aleancës perëndimore për ndaljen e luftës.

Kryeministri Albin Kurti, tha sot se intervenimi i NATO-s ishte një histori nga e cila Kosova nxori mësim.

“Dhe kjo kuptohet më së miri nga rreshtimi gjeopolitik dhe gjeostrategjik i vendeve tona sot. Sikur atëherë, edhe tani, Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë. Kurse shteti ynë, Kosova dhe populli i saj, bashkë me Shqipërinë, në vazhdimësi ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, me Gjermaninë dhe Turqinë, me Francën dhe Italinë dhe me vendet e tjera partnere perëndimore”, tha ai.

“Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO-ja është destinimi ynë ushtarak. Andaj sot po e shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës duke qëndruar bashkë me aleatët tanë njësoj si më 12 qershor dhe njësoj si në ditët e para të çlirimit”, tha kryeministri në seancën solemne të Kuvendit.

Nga perspektiva e sotme 25 vjet më parë fillimi i luftës nga NATO për një territor në të cilin Serbia ushtronte terror te shfrenuar mund të duket i pamundur ose pak i besueshëm. Serbia nuk ka pushuar së vajtuari për ‘agresionin’ ndaj saj pa i pranuar kurrë krimet. Nëse Tony Blair do të mund të konsiderohej sot si zëdhënës i asaj ndërmarrjeje, Perëndimi nuk është penduar për bombat që i hodhi për kosovarët. “Ne ndihmuan dhe unë kurrë nuk u pendova për këtë”, iu tha ai të hënën deputetëvë të Kosovës.