Ekipi i “Nuremberg Moot Court 2024” kualifikohen për rundet verbale

Ekipi përfaqësues i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës në garën prestigjioze të drejtësisë ‘Nuremberg Moot Court 2024’ është kualifikuar për rundet verbale që do të mbahen në ambientet e Gjykatës së Nurembergut.

“Nga 140 ekipe pjesëmarrëse nga fakultete juridike/universitete prestigjioze botërore, vetëm 40 janë kualifikuar për rundet finale me gojë që do të zhvillohen gjatë muajit korrik 2024 në Gjermani, e në mesin e tyre edhe ekipi i Fakultetit Juridik-UP. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin e Fakultetit Juridik, Universitetit të Prishtinës dhe shtetit të Kosovës në një komunitet të juristëve botërorë (profesorëve dhe gjyqtarëve nga fusha e së drejtës penale ndërkombëtare, që janë edhe pjesë e jurisë) ku simulohet praktika e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC)”, thunet në njoftimin e Fakultetit Juridik.

Ky sukses është rezultat i një dedikimi dhe pune disa mujore i ekipit të përbërë nga studentët: Albina Uka, Era Vitija dhe Gresa Potera, si dhe trajnerëve Ass.Besnik Beqaj dhe Nisa Ferati, si dhe mbështetjen e dekanit të fakultetit, Avni Puka.

Gara e drejtësisë “Nuremberg Moot Court” është në mesin e garave me prestigjioze botërore që nga viti 2022 është pjesë integrale e programit të përhershëm të Fakultetit Juridik të UP-së, pas reformave dhe akreditimit të programit BA.

Ky sukses i radhës i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, konfirmon cilësinë e studimeve në UP dhe afirmon perspektivën e juristëve të rinj në Republikën e Kosovës.