Kurti: Historia e luftës në Kosovë ka nevojë për t’u studiuar

Kryeministri Albin Kurti, ka bërë thirrje për dokumentim shkencor të dëmeve e kujtesës kolektive të luftës së fundit të Kosovës. “Historia dhe trashëgimia e luftës në Kosovë kanë shumë nevojë për t’u studiuar, hulumtuar dhe për t’u shkencëruar ngase ne si shoqëri dhe si shtet, kemi nevojë për diskurse të mirëfillta shkencore dhe për narracione sa më të plota dhe të vërteta e të sakta për luftën tonë”, ka deklaruar ai.

Kurti e ka thënë këtë në konferencën shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimit të Kosovës: ‘Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje- qasje multidisiplinare’

“Tani që po bëhen 25 vjet nga lufta e Kosovës, kur një brez i tërë i lindur pas luftës është rritur dhe maturuar, është koha e duhur që diskutimet, hulumtimet, shkrimet e botimet të shkojnë secilën herë duke u bërë më shkencore e akademike, më konceptuale”, ka deklaruar kryeministri para akademikëve të ASHAK-ut.

“Mbi 10 mijë viktima civile kishin humbur jetën nga mbi 13 mijë sa do të rezultonte shifra totale e njerëzve të vrarë gjatë gjithë luftës në Kosovë. Mes tyre 1 mijë e 133 fëmijë, kurse mbi 3 mijë burra e gra ishin vrarë me armë në duar duke rënë dëshmorë të lirisë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka përmendur edhe transportimin dhe fshehjen e shqiptarëve të vrarë nëpër varreza masive nëpër Serbi.

“950 shqiptarë gjithsej zbulohen nëpër ato varreza, 744 vetëm nga varrezat masive në Batajnicë, në periferi të Beogradit, që edhe sot e kësaj dite shërben si poligon për policinë e ushtrinë, pa asnjë pllakë të vetme përkujtimore se aty dikur kishte një varrezë masive”, ka thënë Kurti.