Kurti për ftesën e Orhan Pamukut për takim: Nder që nuk e shpjegoj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me shkrimtarin e njohur turk, Orhan Pamuk, me të cilin ka darkuar në një restaurant të Stambollit.

Kurti, në një postim në Facebook, thotë se është i befasuar për ftesën nga Orhan Pamuk dhe e përshkruan pritjen e minutave si orë të gjata, ndërkaq tri orë e gjysmë me të porsi minuta. Ai tha se shkrimtari Orhan Pamuk është shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët dhe Ballkanin.

“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, shkruan Kurti në Facebook.