Interi me president të ri, një emër i shquar në krye të kampionëve

Giuseppe Marotta është presidenti i ri i Interit. Administratori i deleguar i zikaltërve ka marrë besimin e fondit amerikan Oaktree për të zënë vendin e Steven Zhangut, në krye të klubit zikaltër, teksa vendimi zyrtar ka ardhur paraditen e të martës.

Në prag të nisjes së Asamblesë së aksionarëve, fondi amerikan ka lëshuar edhe një deklaratë zyrtare, ku njofton emërimin e Giuseppe Marottës si president të klubit zikaltër. Vetë Marotta pranoi detyrën e re dhe nuk ngurroi të falënderonte Fondin amerikan për besimin e dhënë.

“Dëshiroj të falënderoj Oaktree-n për besimin e dhënë dhe mundësinë për të punuar krah tyre dhe Këshillit të administrimit. Ky emërim është një mirënjohje e madhe ndaj meje dhe njerëzve me të cilët kam punuar gjatë këtyre tre vjetëve për të mbajtur klubin në nivele të larta. Jam krenar që jam pjesë e Interit dhe konfirmoj angazhimin maksimal për të bërë më të mirën për shoqërinë”, u shpreh Marotta.