‘DokuFest’-i paraqet Bibliotekën e re Digjitale për Mësimdhënësit

“DokuFest”-i prezantoi Bibliotekën e re Digjitale për Mësimdhënësit, e cila është realizuar me ndihmën e partnerëve dhe institucioneve. Kjo platformë përmban 200 filma dhe rreth 130 fleta të punës si materiale didaktike.

Ky projekt i “DokuFest”-it, që ka nisur në vitin 2018, është mbështetur nga një sërë partnerësh, përfshirë MAShTI-n, OSBE-në, Ambasadën e Suedisë në Kosovë e të tjerë.

“Të gjitha materialet janë të harmonizuara me kornizën kurrikulare të Republikës së Kosovës. Duke u regjistruar në këtë bibliotekë, mësuesit fitojnë qasje të pakufizuar në këto burime, të cilat ofrohen pa pagesë”, tha Linda Gashi, drejtoreshë ekzekutive e “DokuFest”-it.

Ajo bëri me dije se iniciativa është akredituar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për trajnimin e mësuesve dhe përdorimin e mjeteve audiovizive në arsim.

Më shumë se 350 mësues janë të regjistruar në platformë. Platforma integron filma, dokumentarë me kurrikulë, filma, materiale didaktike që u ndihmojnë studentëve të zhvillojnë njohuri, mendim kritik dhe, po ashtu, platforma ofron seminare dhe trajnime për mësuesit.

Kurse Bora Shpuza, shefe e kabinetit të ministres Arbërie Nagavci, tha se falë bashkëpunimit të frytshëm në mes të Ministrisë së Arsimit dhe “DokuFest”-it, biblioteka digjitale është ridizajnuar për t’i plotësuar kriteret e nevojshme për mësim cilësor më të avancuar i cili do të pasurohet me literaturë.

“Me elektronizimin e mjeteve mësimore, edukimi mediatik merr rëndësi të veçantë”, tha ajo.

Ajo shtoi se edukimi medial është pjesë integrale e kurrikulës shkollore me qëllim të orientimit të drejtë të fëmijëve dhe imunizimit të tyre ndaj manipulimeve potenciale.

Ndërsa ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, këtë platformë e quajti si lloj “Netflix”-i për mësimdhënësit. E Eroll Bilibani nga “DokuFest”-i tha se përdorimi do të jetë pa pagesë për mësimdhënësit dhe i qasshëm momentalisht vetëm për ata të shkollave publike të Kosovës.