Sot Kosova-Kroacia, drejtpërdrejt RTK

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave, sot do të përballet me Kroacinë, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës.

Dardanet dhe kroatet do të përballen në kuadër të kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2025.

Vashat tona do të ballafaqohen sërish me një kundërshtar të vështirë, e cila në ranglistën e ekipeve renditet shumë më lart se sa Kosova.

Përzgjedhësja Anneli Andersen ndonëse e konsideron të vështirë përballjen me Kroacinë, thekson se lojtaret e saj do ta japin maksimumin për të arritur rezultat pozitiv.

“Ne e kemi analizuar kundërshtarin. Kroacia bën të njëjtën gjë që ne bëjmë dhe do të mundohet për të arritur fitoren. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Ne çdo herë po punojmë që të përmirësohemi”, ka theksuar Andersen.

Ndeshja Kosova-Kroacia fillon në orën 17:00, derisa Dardanet më 2 qershor udhëtojnë në Kroaci për ndeshjen kthyese.

Deri më tash Kosova ka zhvilluar dy ndeshje në kuadër të Grupit B4 në Ligën B të kualifikimeve për Euro 2025.

Në të dyja kanë pësuar humbje kundër favoriteve të grupit, Ukrainës dhe Uellsit.