Si u shndërruan madrilenët në “Mbretër të Evropës”

Real Madridi përballet me Borussia Dortmundin në finale të Ligës së Kampionëve, të shtunën prej orës 21:00 në “Wembley”. Skuadra e Carlo Ancelottit synon të shtojë një kapitull tjetër në historinë tashmë të jashtëzakonshme të saj në garën elitare evropiane.

Real Madridi i ka plot 14 tituj në Champions, dyfish më shumë se Milani, skuadra e dytë më e suksesshme.

Madrilenët janë të vendosur për trofeun e 15 evropian dhe të gjashtin në dhjetë vjetët e fundit. Kështu duan të përsërisin dominimin e skuadrës në fillim të garës evropiane. Gjatë periudhës së Alfredo Di Stefanos, Real Madridi fitoi pesë trofetë e parë evropianë, duke nisur nga viti 1956, dhe një tjetër në vitin 1966.

Por pasi grupi i lojtarëve të mëdhenj si Di Stefano, Ferenc Pushkash, Paco Gento dhe Raymond Kopa stabilizuan madrilenët si “Mbretër të Evropës”, klubit iu deshën plot 32 vjet të dhimbshme për të rimarrë fronin në vitin 1998. Rivalët shpesh kanë bërë shaka për Kupat e Evropës të Realit, të gjitha të fituara në periudhën “bardh e zi”. 

Gjenerata e Raulit, Fernando Hierros dhe Robert Carlosit e ndihmoi Real Madridin të lulëzonte sërish në kohën kur transmetimet ishin plot me ngjyra. Kjo gjeneratë fitoi tre trofe të Ligës së Kampionëve brenda pesë vjetësh (1998, 2000, 2002).

Pasuan 12 vjet të tjera pa trofe, duke e bërë kërkimin për trofeun e dhjetë të Realit një obsesion për presidentin Florentino Perez. Në mënyrë thuajse spektakolare, ai dështoi të siguronte trofeun e dhjetë përmes projektit shumëmilionësh “Galacticos”.

Klubi megjithatë mësoi nga gabimet dhe në vend që të paguante shuma të mëdha për emrat e mëdhenj që ishin gati në fund të karrierës, ktheu vëmendjen te lojtarët e së ardhmes duke u përpjekur të zbulonte yjet e tij.

Firmosi me Toni Kroosin nga Bayerni, Sergio Ramosin nga Sevilla, Karim Benzeman nga Lyoni, Gareth Balen nga Tottenhami dhe Cristiano Ronaldon nga Manchester Unitedi, të gjithë para se të mbushnin 24 vjet. Dhe të gjithë kulmin e arritën derisa ishin në Madrid.

Klubi po ashtu nisi t’i kushtojë vëmendje Brazilit, duke kërkuar talentet e mëdha në këtë vend. Marcelo dhe Casemiro firmosën për 6 milionë euro dhe u bënë legjenda.

Ai ekip i ri por i talentuar, nën drejtimin e qetë të Ancelottit dhe Zinedine Zidanet, funksionoi si grup dhe u lidh në fushë si makinë e lyer mirë, për të krijuar më në fund dinastinë e dytë të madhe që Reali e kishte kërkuar për gjysmëshekulli.

Pas titullit të dhjetë të fituar me Ancelottin në vitin 2014, Reali më pas fitoi tre trofe të Championsit nën drejtimin e Zidanet (2016, 2017, 2018).

Më pas, me Ancelottin të kthyer në krye të skuadrës, Madridi fitoi tjetër trofe evropian në vitin 2022, duke kurorëzuar një kampanjë të jashtëzakonshme, plot me kthime të vonshme. Kështu madrilenët dëshmuan se janë më shumë se një ekip i ndërtuar rreth Ronaldos. Portugezi ishte larguar pas titullit të vitit 2018.

Dy vjet pas triumfit të fundit, Madridi kërkon titullin e 15, me Dani Carvajalin si lojtarin e vetëm titullar nga koha kur skuadra fitoi trofeun e dhjetë kontinental. Lojtarët e rinj janë të etur të dëshmojnë që janë gati për të dalë në skenën e madhe dhe të vazhdojnë historinë e suksesshme të klubit.

Ronaldo, Ramos, Marcelo, Benzema dhe Casemiro nuk janë më. Kross ka njoftuar se i jep fund karrierës pas Euro 2024, ndërsa Luka Modriq është bërë lojtar i kohëpaskohshëm në skuadrën e re të mbushur me talentë.

Vinicius Jr, Jude Bellingham dhe Rodrygo po e lartësojnë fanellën e famshme të bardhë dhe po kërkojnë të krijojnë dinastinë e ardhshme të Realit.

Finalja nuk do të jetë e lehtë për Real Madridin. Borussia Dortmundi nuk do të jetë vetëm mysafire në festë. Sa i takon historisë në Champions, skuadrat nuk mund të krahasohen. Dortmundi e ka një titull në vitin 1997 dhe një finale të humbur në vitin 2013. Po ashtu kishte edicion zhgënjyes në Bundesligë.

Por Dortmundi nuk është që respekton shumë imazhin e kundërshtarit. E dëshmoi këtë rrugës për në finale duke eliminuar Atletico Madridin dhe Paris Saint Germainin.