Përurohet Muzeu i Dëshmorëve në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Penuhë

Në ditën e dëshmorëve nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta janë organizuar homazhe në shumë komplekse të varrezave të dëshmorëve dhe heronjve të kombit.

Përveç homazheve janë vendosur edhe lule të freskëta pranë busteve të “Katër Dëshmorëve” në sheshin e qytetit, tek busti i Ali Ajetit, shtatorja e Adem Demaçit, “Kompleksi Memorial Zahir Pajaziti” në Orllan, tek “Kompleksi Memorial Baza e Parë e UÇK-së” në Lladoc dhe “Kompleksi Memorial i Dëshmorëve” në Penuhë për të nderuar veprën heroike dhe sakrificën e e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Kryetari Bulliqi në fjalën e tij në shënim të kësaj dite tha se “Dëshmorët janë më meritorët për lirinë e fituar, gjaku i derdhur për liri dhe sakrifica e shumë brezave na obligon neve të gjallëve për punë të mira e kontribut të pakursyer për ndërtimin dhe forcimin e vendit tonë”.

Krahas homazheve në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve u bë edhe hapja e Muzeut të Dëshmorëve, ku edhe u mbajt manifestimi qendror për shënimin e kësaj dite.

Në këtë manifestim për Hapjen e Muzeut fjalë rasti mbajtën; Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, zëvendës komandanti i ZOLL-it gjenerali Kadri Kastrati dhe përfaqësuesi i OVL-UÇK, Xhemshit Gashi.

Kryetari Bulliqi për hapjen e muzeut tha” Hapja e muzeut është një moment i rëndësishëm për të ruajtur dhe për të rrëfyer historinë tonë para botës dhe brezave të ardhshëm. Ky muze është një vend i veçantë ku mund të mësojmë për heroizmin dhe sakrificën e dëshmorëve tanë, dhe për të ruajtur kujtimin e tyre për brezat e ardhshëm.

Lavdi të gjithë dëshmorëve, heronjve dhe martirëve të kombit!