Vritet një grua në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, plagoset vëllai i saj

Një grua është vrarë dhe një i mitur është plagosur, nga të shtënat me armë zjarri para Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj të premten pasdite. I dyshuari i arrestuar është ish-bashkëshorti i viktimës. I plagosuri është vëllai i saj. 

Siç ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj, V.A. është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “vrasje”. Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është 36-vjeçar.

“Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në Ferizaj në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës. Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të lartëcekur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Policia ka konfirmuar po ashtu se viktima është E.C., 21-vjeçare. D.C. 15-vjeç, është i plagosuri. 

Drejtoresha për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha, ka thënë për “Betimin për Drejtësi”, se gjithçka ka ndodhur kur viktima dhe i dyshuari janë takuar për çështjen e fëmijës në QPS. Ajo ka thënë se nëna e ka sjellë fëmijën në qendër që të realizojë kontaktin me babanë, i cili pasi e ka takuar për dy orë, e ka kthyer në qendër. Ajo ka bërë të ditur se duke dalë nga qendra, burri ka takuar ish-bashkëshorten, dhe më pas kanë nisur tensionet. Ajo ka thënë se vrasja ka ndodhur para objektit të kësaj qendre.

Sipas Emergjencës Primare të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, gjatë prononcimit për “Betimi për Drejtësi”, i plagosuri është në gjendje stabile.