Ulpiana e Vllaznia përjashtohen, heton edhe policia

Ulpiana 1926 e Lipjanit dhe Vllaznia e Pozheranit janë përjashtuar nga garat e Ligës së Parë të Kosovës në futboll. Këtë vendim e mori të premten Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ulpiana e Vllaznia janë përjashtuar për kurdisje të ndeshjes mes tyre. Dhe edicionin e ardhshëm garues do të luajnë në Ligën e Dytë, përkatësisht në nivelin e tretë të garave të futbollit kosovar.

Ulpiana e Vllaznia janë përballur më 7 prill në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Skuadra mysafire fitoi 4:3. Organet e FFK-së, fillimisht komisioni i garave e më pas edhe disiplinori, kanë konstatuar se “në pjesën e dytë të ndeshjes ekipi vendas tregoi mungesë të qartë angazhimi në lojë, qëllimisht duke lejuar hapësira të shumta për kundërshtarët dhe duke lehtësuar punën për ekipin mysafir. Kjo situatë u reflektua edhe në shënimet e golave, duke bërë të mundur kthesën e rezultatit nga 3:1 në 3:4”.

Sipas vendimit, Ulpiana ka pasur raste për të barazuar, por me qëllim nuk e ka bërë këtë.

“Gjithashtu komunikimet e lojtarëve me mesazhe telefonike lidhur me zhvillimin dhe rezultatin e ndeshjes si dhe të dhënat nga raportet tjera konfidenciale paraqesin prova të mjaftueshme për vendimmarrje në çështjen e iniciuar nga Komisioni i Garave”, shkruan tutje në vendimin e Disiplinorit.

Klubet e përjashtuara kanë tetë ditë afat për të paraqitur ankesë.

Të dy klubet kanë mohuar kurdisjen.

Pos organeve të Federatës së Futbollit të Kosovës me kurdisjen e ndeshjes Ulpiana – Vllaznia do të merret edhe Policia e Kosovës. Kjo është bërë e ditur të premten.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje”, ka thënë për KOHËN, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë.

Kurdisjet në futbollin kosovar, për të cilat rriten dyshimet në pjesën përfundimtare të kampionatit, janë hetuar edhe më parë. Por në dy raste kishte veprime konkrete. Në njërin nga organet e FFK-së e një tjetër nga prokuroria. Ky është rasti i tretë.

Federata e Futbollit është atakuar vazhdimisht se nuk ka vepruar mjaftueshëm fuqishëm pas dyshimeve e akuzave për kurdisje.

Të premten lidhur me ndeshjen Ulpiana – Vllaznia ka diskutuar edhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Organi më i lartë ekzekutiv ka premtuar zero tolerancë ndaj kurdisjeve dhe dukurive tjera negative. Komitetin Ekzekutiv e udhëheq kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

“Sa i përket ndeshjes së Raiffeisen Ligës së Parë, Ulpiana 1926 – Vllaznia, Komiteti Ekzekutiv sqaron opinionin se komisionet dhe organet përkatëse do të vendosin konform fakteve dhe rregulloreve të FFK-së dhe ligjit të aplikueshëm”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Federata u ka dhënë mbështetje të plotë komisioneve të saj.

“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së zotohet se do të jetë gjithmonë në mbrojtje të interesit të futbollit, për çka edhe është i thirrur. Kur themi interesin e futbollit, gjithsesi edhe interesin e klubeve, por vetëm atëherë kur gjithçka shkon në rregull e konform rregullave të lojës, në të kundërt do të ketë zero tolerancë ndaj çdo veprimi apo dukurie negative”, shkruan tutje në njoftim.

Tek Ulpiana e Lipjanit dhe Vllaznia e Pozheranit kanë mohuar kurdisjen. Kanë lënë të kuptohet se dyshojnë që vendimi u mor për t’i shërbyer një klubi të tretë, përkatësisht Flamurtarit të Prishtinës.