Krasniqi: Kosova nuk guxon të kthehet në një vend ku gratë shndërrohen në numra

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, teksa ka dënuar vrasjen e gruas në Ferizaj të premten, ka thënë se Kosova nuk guxon të shndërrohet në vend ku gratë vriten në mënyrë të ripërsëritur e ku s’ka ndëshkueshmëri maksimale.

Një 21-vjeçare u vra para objektit të Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Siç kanë konfirmuar autoritetet, i dyshuar është ish-partneri i saj. Të dy ishin takuar në QPS, gjatë kohës kur gruaja kishte dërguar fëmijën për ta takuar babanë.

Si pasojë e të shtënave është plagosur vëllai i mitur i viktimës.  Policia ka arrestuar 36-vjeçarin e dyshuar. 

“Emri i saj ishte Erona! Ajo ishte 21 vjeç dhe kishte një djalë. Jeta e saj, pa filluar ende mirë, sot iu shua nga ish-bashkëshorti i saj. Një tragjedi që shkakton shumë dhembje dhe e cila nuk mund të përmblidhet me fjalë. Fatkeqësisht, një krim që vjen dhe ripërsëritet muaj pas muaji në vendin tonë.  Përtej fjalëve dhe thirrjeve, sot, rëndësi kanë veprat. Jo vetëm ato të organeve të drejtësisë, por të të gjitha mekanizmave të shtetit – politik dhe administrativ. Kosova nuk guxon të shndërrohet në një vend ku gratë vriten në mënyrë të ripërsëritur e ku nuk ka ndëshkushmëri maksimale. Kosova nuk guxon të kthehet në një vend ku gratë shndërrohen në numra. Emri i saj ishte Erona. Ajo ishte 21 vjeç. Ngushëllimet më të thella familjes!” ka shkruar Krasniqi në Facebook të premten në mbrëmje.