14 prilli, Dita Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, kupolat e Bibliotekës Kombëtare do të ndriçohen me ngjyrat e lules Anemonë

14 Prilli në Kosovë shënohet si Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë. Përmes shënimit të kësaj dite përkujtojmë vuajtjet dhe traumat e atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo ditë synon të njohë padrejtësinë e përjetuar dhe traumën si pasojë e krimeve të tilla dhe njëkohësisht të rrisë ndërgjegjësimin për drejtësinë e vonuar dhe luftën kundër stigmës.

Në shënimin e kësaj dite, këtë të diel më 14 prill 2024, QKRMT do të organizojë vizitë te memoriali  “Heroinat” në ora 12:00, ku drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani do të mbajnë konferencë për medie, ndërkaq në ora 20:00 do të bëhet ndriçimi i kupolave të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë me ngjyrat e lules Anemonë – simbolit të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës në Kosovë.

Dhuna seksuale e ushtruar gjatë luftës së fundit në Kosovë është një realitet i dhimbshëm. Kjo lloj dhune është përdorur si armë lufte me qëllim për të poshtëruar, frikësuar dhe për të shtrirë kontroll mbi popullsinë.

Përtej dëmit fizik dhe emocional që u shkaktohet viktimave në momentin e dhunimit, kjo formë e dhunës ka edhe pasoja afatgjata në shëndetin e tyre mendor, marrëdhëniet shoqërore dhe mirëqenien e tyre të përgjithshme.

Në gjendjen e pasluftës marrëdhëniet shoqërore midis të mbijetuarve dhe pjesës tjetër të shoqërisë dominohen kryesisht nga stigma ndaj dhunës seksuale gjatë luftës. Sipas raporteve, stigma për dhunën seksuale gjatë konfliktit vazhdon të dominojë në shoqërinë tonë.

Kjo stigmë mund të shfaqet në mënyra të ndryshme sociale, kulturore dhe sistematike, duke prekur si të mbijetuarit ashtu edhe familjet e tyre.