S`ka rroga, ndërrimi i parë i punëtorëve të `Trepçës` nuk e fillon punën

Ndërrimi i parë i punëtorëve në Trepçë nuk kanë punuar sot për shkak se ende nuk i kanë marrë pagat e plota.

Disa prej këtyre punëtorëve i kanë marr vetëm 30 për qind të pagës. Ndërsa minatorët, përfaqësues të Sindikatës për pak pritet të takohen me kryeshefin e Trepçës për të sqaruar këtë situatë, njoftoi për RTKlive, Ibrahim Jonuzi, kryetar i Sindikatës së Trepçës.

Kujtojmë se për shkak të mosmarrjes së pagave, punëtorët e Trepçës edhe më parë kanë protestuar. Madje minatorët ishin ngujuar edhe në minierë në shenjë mospajtimi, duke kërkuar që çështja e pagave të zgjidhet.

E pas ngujimit në minierë, ishte arritur një marrëveshje për marrjen e pagesave të rregullta mujore, ndërsa sa i përket kërkesës për sigurim shëndetësor dhe jetësor, minatorët janë pajtuar që këto çështje të trajtohen më vonë.