Osmani pret kryesuesin e OSBE-së, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin për Punët e Jashtme, Evropë dhe për Tregtinë të Maltës, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së, Ian Borg, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në, përfshirë mbështetjen e OSBE-së në të kaluarën dhe bashkëpunimin aktual me institucionet vendore.

Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Borg dhe Maltës si kryesues i sivjetmë i OSBE-së.

Në takim është diskutuar edhe për raportet bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon, njofton Presidenca.

Në diskutim me ministrin Borg, Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut.

Në këtë frymë, presidentja potencoi se “anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën”.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Maltës në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, njofton Presidenca.