Arrijnë automjetet gjermane për FSK-në

Republika Federale e Gjermanisë i ka dhuruar automjete ushtarake Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të enjten me vlerë 3 milionë euro. Ceremonia u zhvillua në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa FSK-ja pranoi pesë kamionë, ndërsa 10 të tjerë do t’i blejë me mjetet e veta.

Në këtë ceremoni të pranim-dorëzimit të donacionit nga Gjermania, kanë marrë pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ambasadori gjerman ka thënë se vlera e pesë automjeteve të dhuruara është 3 milionë euro. Ka bërë të ditur se FSK-ja ka vendosur t’i blejë edhe 10 të tjerë me mjete të veta.

“Përpos këtyre 5 kamionëve në vlerë prej rreth 3 milionë euro donacion, FSK-ja ka vendosur t’i blejë edhe 10 të tjerë me mjete të veta”, ka thënë Rohde gjatë ceremonisë.

Në buxhetin e Kosovës për vitin 2024, të miratuar fundin e vitit të kaluar, Ministrisë së Mbrojtjes i është ndarë buxhet në vlerë prej 153 milionë eurosh.

Kosova ka bërë kërkesë edhe për blerjen e raketave “Javelin” nga SHBA-ja në vlerë prej 75 milionë eurove.