Xhaka synon “tripletën” me Leverkusenin

Bayer Leverkuseni është në rrugë të mirë për të fituar “tripletën”, shkruan “Bild” të dielën. Pas fitores 1:0 të shtunën në Union Berlin, Leverkuseni në fundjavën e ardhshme mund ta sigurojë titullin e kampionit. Ka avantazh prej 16 pikësh me Bayern Muenchenin. Leverkuseni është në finale të Kupës gjermane, ndërsa të enjten do ta zhvillojë ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Evropës kundër West Ham Unitedit.

Mesfushori Granit Xhaka flet për herë të parë publikisht për mundësinë që me Leverkusenin ta fitojë “tripletën”.

“Ne kemi pasur një synim që donim ta arrinim. Synimi numër një ishte arritja në finale të Kupës së Gjermanisë, këtë e arritëm. Kundër Bremenit mund të arrijmë synimin numër dy. Shpresoj të arrijmë edhe synimin numër tre, që të marrim diçka edhe në Ligën e Evropës”, ka thënë Xhaka, shkruan “Bild”.

Xhaka ka qenë vazhdimisht i matur në deklarata kur pyetej për mundësinë që Leverkuseni të shpallej kampion. Ai fliste njëjtë si trajneri i tij, Xabi Alonso. Thoshte se synimi i tyre ishte “ndeshje pas ndeshjeje”. Por ndryshe ishte pas fitores në Berlin. Xhaka u entuziazmua.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm që mund të flasim për titull pas fitores. Sepse ne mund të bëjmë histori, duke u bërë për herë të parë kampion në historinë e klubit”, ka thënë Xhaka.

Xhaka iu bashkua Leverkusenit në verën e vitit 2023 nga skuadra e Arsenalit. Në ecurinë prej 41 ndeshjeve pa humbje të Leverkusenit, Xhaka dha kontribut me një gol dhe një asistim. Xhaka është lider i mesfushës së Leverkusenit. Lider vlerësohet edhe te Përfaqësuesja e Zvicrës. Ai mban rekordin për më së shumti paraqitje me fanellën e “helvetikëve”.