Podujevë; Banorët e Gllamnikut: Kur të na vdesë dikush s’na duhet kurrgjë rreth-rrotullimi

Për herë të dytë brenda javës banorët e Gllamnikut kanë bllokuar një pjesë të magjistrales Podujevë-Prishtinë, me kërkesë për krijimin e një rreth-rrotullimi, mungesa e të cilit sipas tyre po ndikon në shkaktimin e aksidenteve të shumta.

Osman Bahtiri, përfaqësues i fshatit Gllamnik tha se bëhet fjalë për nevoja urgjente të banorëve për ndërtimin e një rreth-rrotullimi, pasi mungesa e tij po ndikon në shkaktimin e shumë aksidenteve në trafik.

“Kur të na vdesë dikush nuk ka duhet kurrgjë rreth-rrotullimi… Jam i rrezikuar, kemi nxënësit që shkojnë në shkollë, kemi pleqtë, kemi plaka. Kah do të shkojnë këto familje. Mos na lini ta bllokojmë me mjete të rënda… Këta (institucionet e vendit) janë duke na shkatërruar, kjo po shihet prej aeroplanit,” ka thënë ai.

Haki Abdullahu, banor i Gllamnikut, ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave më radikale nëse kërkesa e banorëve nuk gjen zgjidhje nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor për vendosjen e një rreth-rrotullimi në magjistralen Podujevë-Prishtinë.

Edhe Rexhep Syla, banor tjetër i Gllamnikut, shprehet i zemëruar mungesën e një rreth-rrotullimi dhe gjendjen në punimet e rrugës Podujevë-Prishtinë.

Banorët paralajmëruan se do të ketë protesta edhe herëve tjera, porse ajo sipas tyre do të bëhet në mënyra tjera.

Më herët banorët kanë thënë se janë të gatshëm të lirojnë pronat nëse nevojitet për hapësira të ndërtimit të rreth-rrotullimit, por në mënyrë që ato të kompensohen në mënyrën e duhur.

Protesta e sotme e banorëve është mbajtur nën vëzhgimin e policisë dhe ka përfunduar e qetë.

Ndryshe, viteve të fundit në Gllamnik janë shkaktuar një numër i konsideruar i aksidenteve, të cilat kanë përfunduar me të lënduar e dëme materiale.