Kastrati: Procesi i regjistrimit po shkon sipas planifikimit

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka mbajtur të hënën konferencë për media lidhur me procesin e regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave. U.d Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati ka deklaruar se procesi po shkon ashtu siç është planifikuar.

“Gjatë këtyre ditëve në terren kemi angazhuar regjistrues e mbikëqyrës dhe procesi është duke shkuar sipas planifikimit. Regjistruesit kanë pasur disa aktivitete dhe intervista. Aktualisht kemi 98% të mbikëqyrësve që janë aktivë, derisa 90% e regjistruesve që kemi paraparë janë aktivë në teren”, tha Kastrati.

Ai shtoi se të gjitha komunitetet po marrin pjesë në regjistrim, por kanë  pasur disa sfida nga komuniteti serb.

“Aktualisht kemi disa sfida nga komuniteti serb në disa pjesë jo në gjithë Kosovën. Dje ishim në pjesën veriore me disa kolegë dhe supozohet që ditëve në vijim do të angazhohen edhe ata. Pajisjet janë adekuate dhe shumë funksionale dhe  e kemi kaluar një pengesë teknike. Sistemi është duke funksionuar, nuk kemi pasur asnjë telashe sa i përket sistemit. Qysh tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa të gjitha komunitet janë duke marrë pjesë në regjistrim”, tha ai.

Sipas tij, edhe institucione të tjera ndërkombëtare do ta monitorojnë procesin e regjistrimit.

Kastrati ka theksuar  se ka shkuar dje vet  në pjesën veriore ku është takuar edhe me përfaqësues të komunitetit serbë, por jo me Listën Serbe.

“Unë vete isha dje në pjesën veriore dhe jemi takuar me përfaqësues të komunitetit serb jo me Listën Serbe. Ka një gatishmëri te popullsia që të regjistrohen. Për ASK-në janë të gjitha institucionet e përfshira”, ka thënë ai.

Ndryshe ASK-ja do të dalë me rezultate preliminare pas tre muajsh. Gjatë këtij procesi do të aktivizohet edhe një lojë shpërblyese. Cilido qytetar që qëllon më së afërmi numrin e popullsisë do të fitojë 10 mijë euro.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.