Sot nis regjistrimi i popullsisë

Të premten, 5 prill, nis procesi i regjistrimit të popullsisë. Procesi do të zgjasë deri më 17 maj.

Pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj dhe në rast refuzimi, qytetari mund të penalizohet me gjobë prej 30 deri në 2,000 euro.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka lajmëruar se zyrtarët e angazhuar duhet ta vizitojnë të paktën tri herë secilën shtëpi në të cilën nuk i gjejnë banuesit gjatë kohës së vizitës. Nëse nuk gjendet familje brenda shtëpisë, regjistruesi obligohet ta lërë numrin njoftues te dera, që familja të lajmërohet.

Po ashtu, familjes i jepet mundësia që vetë ta caktojë datën dhe orën e regjistrimit, duke kontaktuar regjistruesin. 

Ndërsa, për herë të parë është përfshirë edhe një pyetësor për të dokumentuar dëmet nga lufta në ekonomitë familjare. Qytetarët e Kosovës do të mund të dëshmojnë mbi dëmet e shkaktuara gjatë periudhës ndërmjet 28 shkurtit 1998 dhe 12 qershorit 1999.

ASK-ja do të dalë me rezultate preliminare pas tre muajsh. Gjatë këtij procesi do të aktivizohet edhe një lojë shpërblyese. Cilido qytetar që qëllon më së afërmi numrin e popullsisë do të fitojë 10 mijë euro.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.