Kurti: Të dhënat mbi popullsinë na ndihmojnë në orientimin e politikave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të dhënat mbi popullsinë do të ndihmojnë në orientimin e politikave. 

Ai ka theksuar se kërkohet bashkëpunim i ngushtë me Agjencinë e Statistikave dhe komunat për të pasur sukses të procesit. 

“Të dhënat mbi madhësinë dhe përbërjen e popullsisë do të na ndihmojnë në orientimin e politikave për qytetarët neve si qeveri juve si komuna dhe institucioneve të tjera. Angazhimi ynë i përbashkët është u domosdoshëm për të adresuar nevojat pa dallim. Cilësia e të dhënave nga pyetësorët është vendimtare për cilësinë e qeverisjes. Në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori për dëmet nga lufta. Në frymë të bashkëpunimit u ftoj që të angazhohemi bashkë në këto dy procese kaq të rëndësishme”, ka thënë Kurti në takim me kryetarët e komunave. 

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se informacioni i grumbulluar nga sistemet e zakonshme të regjistrimit të popullsisë përdoret për qëllime planifikimi, buxhetimi dhe taksimi; për përcaktimin e përmbushjes së kritereve për të zgjedhur dhe për të pasur akses ndaj arsimimit, kujdesit shëndetësor, sigurimeve shoqërore, sistemeve të ndihmës ekonomike dhe pensioneve. 

Ai ka thënë se të dhënat për numrin e banorëve ndikon në shumën e financimit të grantit qeveritar për komunën, si dhe në kohë emergjencash për të lokalizuar individët e prekur. Po ashtu, ka treguar edhe për një sërë aspektesh tjera ku të dhënat për qytetarët i ndihmojnë vetë këta të fundit. 

“Ky proces nuk është thjesht një procedure burokratike; është gur themeli i qeverisjes moderne dhe zhvillimit shoqëror. Duke regjistruar me saktësi informacionin demografik, ne do të kuptojmë dhe t’i shërbejmë më mirë qytetarëve tanë, të promovojmë sigurinë publike, të mbrojmë të drejtat e njeriut si dhe të nxisim zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, ka thënë ai.