Rexhepi: Ligji i ri për trafikun, për më shumë siguri

Nga sot ka hyrë në fuqi Ligji i ri për trafikun rrugor, i cili parasheh masa dhe gjoba të larta për shkelësit e rregullave në komunikacion. Për të diskutuar rreth kësaj teme, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, është paraqitur Jeton Rexhepi, drejtor i komunikacionit rrugor në Policinë e Kosovës.

Ai fillimisht tha se ligji ka për qëllim ofrimin e sigurisë apo rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, shpëtimin e jetëve, e po ashtu ndryshimin e sjelljes për një siguri më të madhe në trafik.

Tutje ai shtoi se përveç gjobës, është paraparë masa mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik dhe masa e tretë që është pikët negative.

“Ka disa kundërvajtje për të cilat është paraparë edhe konfiskimi i automjetit apo mjeteve të tjera që zihen duke lëvizur.  Gjoba tjetër është për mosvendosje të rripit të sigurisë dhe përdorimi i telefonit gjatë ngasjes. Me qëllim që të kemi më shumë siguri, të kemi më shumë respektim të rregullave, të kemi më shumë kujdes në trafikun rrugor, është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në trafik, qoftë në cilësi të shoferit apo pasagjerëve, në momentin që lëvizin me automjet, duhet ta vendosin rripin e sigurisë”, tha Rexhepi.

Ai tregoi se përdorimi i telefonit është një prej shkaktarëve të cilët kanë rezultuar me aksidente më të shpeshta në mbarë botën.