Regjistrimi i popullsisë edhe fundjavave, pushohet të hënave

Zyrtarët e angazhuar për procesin e regjistrimit të popullsisë që do të nisë më 5 prill duhet ta vizitojnë të paktën tri herë secilën shtëpi në të cilën nuk i gjejnë banuesit gjatë kohës së vizitës, ka bërë të ditur Hazbije Qeriqi, zyrtare e lartë për komunikim me publikun në Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

Siç ka thënë ajo, fillimisht po që se nuk gjendet familja brenda, regjistruesi është i obliguar ta lërë numrin njoftues te dera, që familja të lajmërohet. Po që se nuk lajmërohet familja, ai e ka detyrë që të shkojë sërish. 

Po ashtu familjes i jepet mundësia që vetë ta caktojë datën dhe orën e regjistrimit, duke kontaktuar regjistruesin.

Për këtë qëllim, siç ka thënë Qeriqi, zyrtarët që kujdesen për regjistrim do të pushojnë të hënave e do të punojnë fundjavave. “Kjo për qëllimin që të gjenden njerëzit nëpër shtëpi sepse është ditë pushimi për ta e ne do të punojmë”, ka thënë Qeriqi në emisionin “Sot” në KTV të mërkurën.

Regjistrimi i popullsisë nis më 5 prill dhe si proces zgjat deri më 17 maj. ASK-ja do të dalë me rezultate preliminare pas tre muajsh. Gjatë këtij procesi do të aktivizohet edhe një lojë shpërblyese. Cilido qytetar që qëllon më së afërmi numrin e popullsisë do të fitojë 10 mijë euro.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer më 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.