Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shpjeguar në Beograd se njohja de facto e Pavarësisë së Kosovës në fakt nënkupton zbatimin e marrëveshjes së rënë dakord në Ohër.
“Për çfarë bëhet fjalë – zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, i cili parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, dhe çfarë shkon së bashku me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që duhet të zbatohet nga Kosovë”, tha Von der Leyen në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për të sqaruar se çfarë do të thotë njohja de facto e pavarësisë së Kosovës, të cilën ajo e përmendi një ditë më parë në Prishtinë.
Ajo po ashtu ka theksuar se kjo do t’i hapë rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që siç ka theksuar ajo, është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane. /Klankosova/