Dje është mbajtur maratona e Tiranës. Në këtë garë kanë marrë pjesë qindra atletë nga 47 shtete të ndryshme të botës.
Besoni apo jo, flamuri i vetëm që nuk figuronte në garën zyrtare ishte ai i Kosovës.
Këtë shqetësim e ka ngritur shefja e grupit parlamentar të Vetëendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
“Së pari uroj të gjithë vrapuesit nga mbarë trevat shqiptare dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse për përfundimin me sukses të Tirana Marathon dje në Tiranë!
Urime edhe organizatorëve për garën e bukur dhe numrin e madh të pjesëmarrësve!
Por, përderisa të gjithë pjesëmarrësve nga vendet tjera, ju njihej përkatësia shtetërore dhe shënohej flamuri shtetëror në rezultatet e garës, fatkeqësisht kjo nuk ishte rasti me vrapuesit nga Kosova.
Të gjithë pjesëmarrësit nga Republika e Kosovës në Maratonën e Tiranës ishin përfaqësues me shenjën XK (dhe jo KOS, sipas shkurtesës zyrtare të Kosovës) dhe pranë kësaj shkurtese nuk ishte flamuri ynë. Do të thotë, rezultati final i garës nuk mban as emrin dhe as flamurin e Kosovës, përkundër faktit që vit pas viti, numri i shtetasve të Kosovës është në rritje në vrapimin e Tiranës.
Të njejtin rast e kemi hasur më herët në Maqedoninë e Veriut, por gabimi ishte korigjuar dy vite më parë, pas reagimit të vrapuesve nga Kosova.
Se do vinte dita të mos njohej shkurtesa zyrtare dhe shënohej flamuri i Kosovës në Shqipëri, nuk do e mendoja. Duke qenë e vetëdijshme se gabimi përtej teknik, nuk ka asnjë prapavijë tjetër, lus organizatorët të ngrisin këtë çështje me kompaninë greke që administroi numrat e garës, dhe asnjëherë tjetër të mos përsëritet ky gabim.
Gara dhe përfaqësimi shtetëror kanë satisfakcionin e veçantë për secilin garues, Shqipëria nuk do të duhej të ishte fare në listën e shteteve që cenon përfaqësimin shtetëror të garuesve nga Kosova.
Gara duhet të jetë fillim e mbarim për përfaqësim të denjë dhe të barabartë për të gjithë” shkruan në reagim Kusari-Lila./Indeksonline/