Parlamenti Europian ka miratuar rezolutën për ngjarjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë sulmin terrorist në Banjskë.
Në këtë rezolutë, PE do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse vërtetohet lidhja me sulmin terrorist ku u vra Afrim Bunjaku.
Zëdhënësja e PE-së, Snjezana Kobescak, tha për Express se meqë rezoluta u miratua me ngritje duarsh nuk ka numër votash, ndërsa teksti i saj është duke u konsoliduar dhe se shpejt do të publikohet.
Për miratimin e kësaj rezolute ka njoftuar edhe eurodeputeti Vladimír Bilčík, i cili është raportues për Serbinë në PE.
“Parlamenti Europian miratoi rezolutën për zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë. Ne kemi nevojë për një hetim të plotë të sulmit në Banjska dhe dhënien e drejtësisë. Beogradi dhe Prishtina duhet gjithashtu të kthehen në një dialog paqësor dhe konstruktiv të lehtësuar nga BE”, ka shkruar ai. /Express/