Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi ka thënë se mospërcaktimi i vlerës së koeficientit ka krijuar situata jo të favorshme për zyrtarët publik,. Ai këtë e ka quajtur tallje të Qeverisë në raport me zyrtarët publikë.
Ndonëse në deklaratat e zyrtarëve qeverisës, vlera e koeficientit do të bëhet publike në fund të janarit, Gashi e ka quajtur veprim të pamenduar mirë.
Gashi ka thënë se kjo mungesë e transparencës i lë hapësirë edhe spekulimeve.
Ai ka kritikuar ekzekutivin edhe për mungesë të komunikimeve me sindikatat.
“Fatkeqësisht që nga miratimi i ligjit të pagave deri më tani nuk kemi pasur ndonjë takim zyrtarë përjashtimisht komunikimeve zyrtare që i kemi përmes shkresave zyrtare. Ne kemi besuar që edhe në deklaratën e fundit që është dhënë edhe nga kryeministri edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës që brenda janarit do të bëhet e ditur vlera e koeficientin dhe fatkeqësisht sot jemi me 31 dhe rrjedhimisht ne nuk e kemi e që fatkeqësisht mund ta quaj që është në vazhdën e gjërave të cilat i thonë pa u menduar mirë”, u shpreh ai.
Mos komunikimi ose mos përcaktimi i vlerës së koeficientit deri më tani ka krijuar vetëm situata jo të favorshme për zyrtarët publik. Thjesht ka ekzistuar një spekulim i vazhdueshëm rreth vlerës së koeficientit e rrjedhimisht kjo ka krijuar edhe një shqetësim edhe më të madh tek zyrtarët publik për arsyeje se një farë forme e kemi marrë si tallje si mos përgjegjësi në raport me obligimet shtetërore që ka Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.
Gashi ka thënë se 82 mijë zyrtarët publik po malltretohen sa i përket vlerës së koeficientit. Thotë se këto gjëra nuk i harrojnë.
“Këtu nuk kemi të bëjmë një shtresë të vogël, kemi të bëjmë me mbi 82 mijë zyrtarë publik të cilët kanë familje kanë halle, kanë derte dhe mezi e kanë pritur ardhjen e këtij ligji dhe tani me këtë formë dhe me këtë qasje të Qeverisë sinqerisht është shqetësuese dhe nuk e kemi pritur”.
Sipas Gashi, ekzekutivi po bën lojëra me Sindikatat në vend. Ai ka kërkuar që sa më shpejtë vlera e koeficientit të Ligjit të Pagave të bëhet publike.
“Sido që të jetë është qëndrim i tyre, por ne nuk harrojmë ne do e marrim shumë seriozisht këto lojëra që po luhen nga ana e Qeverisë, dhe i bëj apel përmes medieve tuaja që me urgjencë ta përcaktojnë vlerën e koeficientit që rrjedhimisht zyrtarët publik ta kuptojnë më në fund sa kanë pagën dhe njëkohësisht ne ta shohim dhe a do të pajtohemi në qoftë se ka vlerë të koeficientit i cili do të jetë e padinjitetshme dhe rrjedhimisht e papranueshme për ne”, tha ai.