Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka thënë se nuk do ta votojë projektbuxhetin për vitin 2023, pasi sipas tij nuk duhet të anashkalohet FSK, Policia dhe veteranët.
“Po ndalem direkt në këtë sektori ku ky projekt buxhet për vitin 2023 e dëmton sigurinë e vendit për arsye se motivimin për mbrojtje të vendit tonë e pengon duke anashkaluar çështjen e veteranëve të luftës, duke anashkaluar sigurimin e Policisë, duke anashkaluar sigurimin e FSK-së. Në qoftë se ne nuk i sigurojmë pjesëtarët e FSK-së, Policinë atëherë me çfarë motivi kanë mundësi me u përball me vështirësitë në kohën kur Serbia për çdo ditë na kërcënohet me ushtri, polici, grupe mafioze”, tha Humolli.
Ai gjatë seancës së sotme tha se lajmin që nuk do e votojë këtë buxhet ia ka kumtuar edhe partisë në të cilën bën pjesë.
“Për këtë unë jam deklaruar edhe para pjesëtarëve të Vetëvendosjes se nuk do ta votoj këtë buxhet për arsye të thjeshtë, se nuk ka të drejtë kërkush me i anashkalu këto vlera kur ne shohim që Serbia vlerën e luftës së humbur të viteve 1400 i motivon përmes asaj lufte të humbur popullatën e vetë me qëndru në Kosovë, me luftu kundër Kosovës. Kurse ne njerëzit e gjallë, familjet e gjalla të cilat janë, ne i injorojmë dhe ky injorim duhet me u ndërpre dhe besoj që në leximin e dytë duhet me u ndryshu kjo qasje në raport me këtë kategori. Uroj që të reflekton kjo qeveri të reflektojnë edhe deputetët e VV-së me pa që kanë marrë mision politik me kthy shpresën e popullit e jo me mbyt shpresën tonë”, tha ai.